BËHU UDHËRRËFYES – Thirrje për trajnim për udhërrëfyes turistik

A dëshironi që pasionin tuaj për promovim të Kosovës të shndërroni në një profesion të vërtetë?

Asociacioni i udhërrëfyesve turistik të Kosovës – GUIDEKS ju fton të aplikoni për ciklin e radhës të trajnimeve për udhërrëfyes turistik kombëtar dhe lokal. 

Ky program i vetëm në Kosovë për Udhërrëfyes Turistik është i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) për Nivelin V të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK). Trajnimi ofrohet nga trajnerë të GUIDEKS të certifikuar nga Federata Evropiane e Asociacioneve të Guidave Turistike (FEG) dhe profesionistë të ndryshëm të fushave përkatëse.

Më poshtë gjeni formën e regjistrimit (obligative) përderisa informatat më të detajuara për trajnim i keni poshtë në vijim.

Vendet janë të limituara dhe pranimi i kandidatëve do të bëhet në parimin First come, first served (i pari shërbehet).

AFATI I APLIKIMIT: 9 tetor 2026

DITA E PARË E TRAJNIMIT: 10 tetor 2026

LOKACIONI I TRAJNIMIT: Prizren

 

1. ÇKA PËRFITONI NGA KY TRAJNIM?

  • Certifikatë valide të lëshuar nga GUIDEKS që njihet nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe do të shërbejë për regjistrimin dhe licencimin tuaj si udhërrëfyes turistik në të ardhmen.
  • Njohuri teorike nga profesionistë të fushës dhe trajnerë të certifikuar për lëminë e udhërrëfimit turistik.
  • Njohuri praktike në terren nga kolegët tuaj të fushës duke marrë përvoja direkte nga ta.
  • Anëtarësimi në GUIDEKS dhe paisja me bexh. Kandidatët e suksesshëm nga trajnimi do të pajisen me bexh identifikues të GUIDEKS dhe do të kenë të drejtat e anëtarit/es së plotë të organizatës. Anëtarësimi për vitin 2027 është falas.
  • Materiale dhe literaturë përkatëse për të gjithë kandidatët që ndjekin trajnimin.
  • E fundit dhe jo më pak e rëndësishmja: atmosferë pozitive dhe interaktivitet gjatë tërë kohës dhe mundësi rrjetëzimi me kolegë të rinj dhe ata me përvojë përfshi shkëmbimin e përvojave.

 

2. KOHËZGJATJA DHE FORMATI I TRAJNIMIT

  • Trajnimi për Udhërrëfyes Turistik Kombëtar do të përmbajë 215 orë mësimi me 11 ECVET* kredi.
  • Trajnimi për Udhërrëfyes Turistik Lokal do të përmbajë 110 orë mësimi me 6 ECVET* kredi.
  • Orë mësimi nënkupton 60 minuta për orë.
  • Trajnimi do të mbahet gjatë fundjavave (shtune dhe e diele) dhe periodikisht me pjesë të ligjëratave në format online të premteve pasdite.
  • Një ditë pune e trajnimit fillon në ora 10:00 dhe zgjat deri në ora 15:00-16:00.

* European Credit system for Vocational Education and Training

 

3. KOHA DHE VENDI I TRAJNIMIT

PERIUDHA E TRAJNIMIT: tetor – janar 2027 (~12-13 javë)

DITA E PARË E TRAJNIMIT: 10 tetor 2026, e shtunë

LOKACIONI: GUIDEKS Qendra e udhërrëfyesve turistik / Muzeu i Elektroekonomisë (Hidroelektrana), Prizren

https://maps.app.goo.gl/pBtZHSovLgUedTzq9

4. LOGJISTIKA GJATË TRAJNIMIT

  • Për pjesën teorike të trajnimit, tek Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren pjesëmarrësit duhet të sigurojnë vet transportin.
  • Për pjesën praktike të trajnimit, ku do të udhëtojmë në tërë Kosovën, transporti mbulohet nga organizatori.
  • Kafja/çaji gjatë pauzave do të ofrohet nga organizatori.

 

5. GJUHA E TRAJNIMIT

Trajnimi do të mbahet në gjuhë shqipe.

Njohja e një gjuhe të huaj është obligative.

Nëse pjesëmarrësit gjatë fazës së aplikimit deklarohen që dëshirojnë të certifikohen edhe në gjuhët tjera zyrtare të Kosovës angleze/turke/serbe, pjesa praktike gjatë trajnimit do aplikohen për gjuhët përkatëse që dëshironi të certifikoheni.

Sipas Ligjit të turizmit Nr. 08/L-074 – Neni 29 pika 1.4. udhërrëfyesit turistik duhet të kenë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik.

 

6. KRITERET PËR APLIKIM

  • Të jetë qytetar/e i/e Republikës së Kosovës;
  • Të jetë i/e moshës mbi 18 vjeç/e;
  • Të ketë kualifikim universitar ose së paku të përfunduar shkollën e mesme;
  • Në rastin e shtetasit të huaj, kërkohet leje qendrimi dhe leja e punës valide sipas dispozitave ligjore në fuqi;
  • Në rast se kandidati/ja ka ndonjë certifikatë paraprake dhe përvojë në terren, GUIDEKS gëzon të drejtën të kërkojë informatë dhe dëshmi shtesë mbi trajnimet paraprake në mënyrë që të përcaktojë se sa orë shtesë teorike dhe praktike i duhet kandidatit të plotësojë normën e programit të kërkuar. Pa marrë parasysh rasteve specifike, testet/vlerësimet teorike dhe praktike si dhe pagesa e trajnimit janë obligative.

 

7. PËRMBAJTJA E TRAJNIMIT

Sipas përkufizimit zyrtar udhërrëfyesi turistik është personi që udhëzon vizitorët në gjuhën e zgjedhjes së tyre dhe interpreton trashëgiminë kulturore dhe natyrore të një zone, i cili person normalisht zotëron një kualifikim specifik të zonës të lëshuar dhe/ose të njohur nga autoritetet përkatëse.

Udhërrëfyesit turistik janë ‘ambasadorë’ gjegjësisht përfaqësues të qyteteve, rajoneve dhe vendeve për të cilat janë të kualifikuar. Ata kontribuojnë në mënyrë thelbësore në perceptimin e një destinacioni. Udhërrëfyesit turistik janë në gjendje të ndihmojnë udhëtarët të kuptojnë kulturën e rajonit të vizituar dhe mënyrën e jetesës së banorëve të tij. Ata kanë një rol të veçantë nga njëra anë për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe natyrore, ndërsa nga ana tjetër për të ndihmuar në sigurimin e qëndrueshmërisë së saj duke i ndërgjegjësuar vizitorët për rëndësinë dhe cenueshmërinë e saj.

  1. Udhërrëfyesi turistik kombëtar nënkupton personin e kualifikuar që udhëheq grupet e vizitorëve / turistëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës;
  2. Udhërrëfyesi turistik lokal nënkupton personin e kualifikuar që udhëheq grupet e vizitorëve / turistëve në një apo më shumë komuna të një rajoni të territorit të Republikës së Kosovës;

Trajnimi do të ofrohet në gjithsej 4 module, ku pas çdo moduli përkatës organizohet testi me shkrim ose ai praktik. Modulet për Udhërrëfyes Lokal janë më të shkurtëra (110 orë) përderisa për Udhërrëfyes Kombëtar janë më të gjata (215 orë).

Moduli 1 – Hyrje në profesionin e udhërrëfyesit turistik (i përbashkët për dy nivelet)

Moduli 2 – Trashëgimia kulturore, natyrore dhe interpretimi (bazik për nivel lokal dhe i avancuar për nivel kombëtar)

Moduli 3 – Teknikat e udhërrëfimit turistik (bazik për nivel lokal dhe i avancuar për nivel kombëtar)

Moduli 4 – Puna praktike në terren (1 rajon për nivel lokal dhe 5 rajone për nivel kombëtar)

Ky program i trajnimit bazohet në parimet e standardit CEN EN 15565:2008 (Tourism services – Requirements for the provision of professional tourist guide training and qualification programmes). Udhërrëfyesit turistik kombëtar do të pajisen me njohuri teorike dhe praktike për tërë territorin e Kosovës përderisa për ata kandidatë/e që aplikojnë për certifikim të udhërrëfyesve turistik lokal duhet të përzgjedhin 1 rajon përkatës gjatë fazës së regjistrimit.

Rajonet e përcaktuara për kualifikim gjenden në vijim:

  1. Rajoni Jug me përbërje të 7 komunave në vijim: Prizren, Dragash, Mamushë, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Shtërpcë.
  2. Rajoni Perëndim me përbërje të 6 komunave në vijim: Pejë, Gjakovë, Deçan, Junik, Istog, Klinë.
  3. Rajoni Veri me përbërje të 8 komunave në vijim: Mitrovica Jugore, Mitorvica Veriore, Vushtrri, Zubinpotok, Leposaviç, Zveçan, Podujevë, Skenderaj.
  4. Rajoni Qendër me përbërje të 7 komunave në vijim: Prishtinë, Graçanicë, Novobërdë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas.
  5. Rajoni Lindje me përbërje të 10 komunave në vijim: Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit, Viti, Kllokot, Partesh, Ranillug.

 

Kandidatët që pranohen do të pajisen me program dhe agjendë detaje të përmbajtjes së trajnimit dhe temave që do të mbulohen gjatë trajnimit.

Pjesa teorike e programit të trajnimit përfshin formate të mësimit sikurse: ligjërata, punëtori, mësim online, mësim dhe detyra individuale për kandidatë/e dhe vlerësim-testimi për këto njohuri.

Pjesa praktike e programit të trajnimit përfshin formate të mësimit sikurse: dhënia e modelit (shembujve), praktika në terren në rajone (qytete e fshatëra) të ndryshme të Kosovës dhe vlerësim-testimi për këto njohuri.

 

8. KUSHTET E CERTIFIKIMIT

  1. Vijimi i së paku 50% të tërësisë së programit të trajnimit;
  2. Arritja e së paku 50% të vlerësimit/testit teorik për 3 modulet teorike të trajnimit;
  3. Arritja e së paku 50% të vlerësimit/testit të modulit praktik (udhërrëfimit gjatë ecjes në qytet/fshat; udhërrëfimit në muze/monument dhe udhërrëfimit në autobus);
  4. Kryerja e pagesave të trajnimit sipas kushteve të thirrjes publike (shih më poshtë).

Nëse ndonjë kandidat/e dështon të kalojë njërin nga modulet vlerësuese të trajnimit, atij/asaj do ti ofrohet edhe një mundësi për vlerësim / testim gjatë ciklit të njëjtë të trajnimit. Në rast të dështimit edhe për herë të dytë atëherë kandidati nuk arrin të fitojë të drejtën e vazhdimit të trajnimit.

 

9. ÇMIMI I TRAJNIMIT DHE KUSHTET E PAGESËS

  • Në çmimin total të trajnimit ofrohet 20% zbritje për këto tri kategori: 1. Anëtarët e plotë të GUIDEKS; 2. Studentët e universiteteve publike; 3. Zyrtarët publik të fushës së kulturës/turizmit dhe guidat e muzeve
  • Pagesa për udhërrëfyes kombëtar është: 1200 € – me zbritje 960 €.
  • Pagesa për udhërrëfyes lokal është: 800 € – me zbritje 640 €.
  • Pagesa mund të bëhet në tre këste dhe duhet të kryhen sipas këtij kalendari:
  • Afati i pagesës së këstit 1 është 17 tetor 2026.
  • Afati i pagesës së këstit 2 është 17 nëntor 2026.
  • Afati i pagesës së këstit 3 është 17 janar 2027.
  • Pagesa duhet të kryhet vetëm përmes transferit bankar në llogarinë TEB 2032 0001 6945 9542 me përshkrimin të pagesë si në vijim: “Pagesa për trajnim Emri Mbiemri”.
  • Çdo kandidat do të nënshkruajë kontratë në ditën e parë të trajnimit ku do të rregullohen obligimet dhe përgjegjësitë e palëve. Në rast të mungesës apo ndërprerjes së pjesëmarrjes së kandidatit në trajnim, pagesat e kryera (deri në atë kohë) të kandidatit nuk do të kthehen.
  • Certifikata do ti ipet vetëm kandidatëve të suksesshëm të 4 moduleve të trajnimit si dhe pas përmbushjes së obligimeve financiare.

 

NA KONTAKTONI

Nëse keni pyetje, paqartësi apo ju duhen më shumë informata, ju lutem kontaktoni drejtpërdrejt GUIDEKS tek Koordinatori i Sigurimit të Cilësisë Enes Toska në email adresë enes.toska@gmail.com apo guidesinkosovo@gmail.com ; në numrin e telefonit +383(0)49372639 (Viber) si dhe në rrjetet tona sociale.