Më 29, 30 dhe 31 tetor 2025, është mbajtur trajnimi treditor “Bazat e profesionit të udhërrëfyesit turistik” i cili është ofruar përmes bashkëpunimit të Asociacionit të guidave turistike të Kosovës (GUIDEKS) dhe Universitetit të Prishtinës (Divizionit për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë).

Trajnimi, ku përfitues ishin 35 studentë të certifikuar, ka ofruar njohuri teorike dhe praktike për lëminë e udhërrëfimit turistik përfshi teknikat e udhërrëfimit dhe standardet e aplikueshme për këtë profesion. Nga reflektimi i studentëve, ky trajnim shërbeu edhe si platformë informimi dhe frymëzimi për këtë profesion të ri e atraktiv duke përfshirë mundësinë e rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave me kolegë që kanë përvojë në këtë fushë të turizmit në Kosovë.
Trajnimi është ofruar nga trajnerë të certifikuar të GUIDEKS nga Federata Evropiane e Asociacioneve të Udhërrëfyesve Turistikë (FEG) dhe profesionistë të fushave përkatëse. Ligjëratat teorike janë kombinuar edhe me orë praktike ku studentët patën mundësi të praktikojnë njohuritë e tyre drejtpërdrejt në terren.
GUIDEKS, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm publik mbetet e përkushtuar për ofrim të ndihmës profesionale që gjeneratat e reja të njoftohen dhe të certifikohen për profesionin e udhërrëfyesit turistik në Kosovë.
Në përmbyllje të trajnimi, studentët, me ndihmën e trajnerëve, kanë prodhuar një hartë turistike për kampusin universitar në mënyrë që të ndihmojnë në navigim të turistëve në këtë pjesë të qytetit. Harta në kualitet më të lartë mund të shkarkohet këtu: PR map UP GKS