Thirrje për trajnim për udhërrëfyes turistik

A dëshironi që pasionin tuaj për promovim të vendit tonë të shëndrroni në një profesion të vërtetë?

Asociacioni i udhërrëfyesve turistik të Kosovës GUIDEKS ju fton të aplikoni për trajnimet e udhërrëfyesve turistik shtetëror dhe/apo lokal. 

Trajnimi ofrohet nga trajnerë të GUIDEKS të certifikaur nga Federata Evropiane e Asociacioneve të Guidave Turistike (FEG) dhe profesionistë të fushave përkatëse. Ky program i parë i trajnimit njihet zyrtarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS)  dhe Ministria e Industrisë, Ndërrmarësisë dhe Tregtise (MINT) dhe përkrahet edhe nga Programi PPSE.

Më poshtë gjeni formën e regjistrimit përderisa informatat më të detajuara për trajnim i keni në vijim. 

FORMA E REGJISTRIMIT

AFATI I APLIKIMIT: 25 tetor 2024

 

ÇKA PËRFITONI NGA KY TRAJNIM?

  • Certifikatë valide të lëshuar nga GUIDEKS dhe trajnerët e certifikuar nga FEG. Kjo certifikatë njihet nga MKRS dhe MINT dhe do të shërbejë për licencimin dhe regjistrimin tuaj si udhërrëfyes turistik në MINT. 
  • Njohuri teorike nga profesionistë të fushës dhe trajner të certifikuar për lëminë e udhërrëfimit turistik.
  • Njohuri praktike në terren nga kolegët tuaj të fushës duke marrë përvoja direkte nga ta.
  • Mundësi rrjetëzimi me kolegë të rinj dhe ata me përvojë përfshi shkëmbimin e përvojave.
  • Anëtarësimi në GUIDEKS dhe paisja me bexh. Kandidatët e suksesshëm nga trajnimi, në fillim të vitit 2025 do të pajisen me bexh identifikuese të GUIDEKS dhe do të kenë të drejtat e anëtarit/es së plotë të organizatës. Viti i parë i anëtarësimit është falas.
  • Mundësi angazhimi në turet që i ofron GUIDEKS apo edhe projekte të ndryshme që zbaton organizata.
  • Materiale dhe literaturë përkatëse për të gjithë kandidatët që ndjekin trajnimin.

 

KOHËZGJATJA DHE FORMATI I TRAJNIMIT

  • Trajnimi për udhërrëfyes turistik shtetëror do të përmabjë 200 orë mësimi.
  • Trajnimi për udhërrëfyes turistik lokal do të përmabjë 90 orë mësimi.

Orë mësimi nënkupton 60 minuta për orë, pa llogaritur periudhën e drekës apo pauzave gjatë trajnimit. Këto orë mësimi, për cilëndo kategori të udhërrëfyesit turistik do të jenë së paku (40%) punë praktike dhe pjesa tjetër (60%) pjesë teorike.

Trajnimi do të mbahet gjatë fundjavave (shtune dhe e diele) dhe periodikisht me pjesë të ligjeratave në format online të premteve pasdite. Planprogrami dhe agjenda detaje e trajnimit do ti ofrohet pjesëmarrësve pas plotësimit të formës së regjistrimit dhe kryerjes së pagesës së trajnimit.

 

KOHA DHE VENDI I TRAJNIMIT

Periudha e trajnimit: Tetor 2024 – Janar 2025

Dita e parë e trajnimit: 26 Tetor 2024

Lokacioni: Prishtinë

 

GJUHA E TRAJNIMIT

Trajnimi do të mbahet në gjuhë shqipe.

Nëse pjesëmarrësit gjatë fazës së aplikimit deklarohen që dëshirojnë të certifikohen edhe në gjuhë angleze, pjesa praktike gjatë trajnimit dhe vlerësimi me shkrim në fund të trajnimit do aplikohen për gjuhët përkatëse që doni të të certifikoheni.

Sipas Ligjit të turizmit Nr. 08/L-074 – Neni 29 pika 1.4. udhërrëfyesit turistik duhet të kenë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik.

 

KRITERET PËR APLIKIM

  • Të jetë qytetar/e i/e Republikës së Kosovës;
  • Të jetë i/e moshës mbi 18 vjeç/e; 
  • Të ketë kualifikim universitar ose së paku të përfunduar shkollën e mesme; 
  • Në rastin e shtetasit të huaj, kërkohet leje qendrimi dhe leja e punës valide sipas dispozitave ligjore në fuqi;
  • Në rast se kandidati/ja ka ndonjë certifikatë paraprake dhe përvojë në terren, GUIDEKS gëzon të drejtën të kërkojë informatë dhe dëshmi shtesë mbi trajnimet paraprake në mënyrë që të përcaktojë se sa orë shtesë teorike dhe praktike i duhet kandidatit të plotësojë normën e programit të kërkuar. Pa marrë parasysh rasteve specifike, testet/vlerësimet teorike dhe praktike si dhe pagesa e trajnimit janë obligative. 

 

PËRMBAJTJA E TRAJNIMIT

Sipas përkufizimit zyrtar udhërrëfyesi turistik është personi që udhëzon vizitorët në gjuhën e zgjedhjes së tyre dhe interpreton trashëgiminë kulturore dhe natyrore të një zone, i cili person normalisht zotëron një kualifikim specifik të zonës të lëshuar dhe/ose të njohur nga autoritetet përkatëse.

Udhërrëfyesit turistik janë ‘ambasadorë’ gjegjësisht përfaqësues të qyteteve, rajoneve dhe vendeve për të cilat janë të kualifikuar. Ata kontribuojnë në mënyrë thelbësore në perceptimin e një destinacioni. Udhërrëfyesit turistik janë në gjendje të ndihmojnë udhëtarët të kuptojnë kulturën e rajonit të vizituar dhe mënyrën e jetesës së banorëve të tij. Ata kanë një rol të veçantë nga njëra anë për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe natyrore, ndërsa nga ana tjetër për të ndihmuar në sigurimin e qëndrueshmërisë së saj duke i ndërgjegjësuar vizitorët për rëndësinë dhe cenueshmërinë e saj.

  1. Udhërrëfyesi turistik shtetëror nënkupton personin e kualifikuar që udhëheq grupet e vizitorëve / turistëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; 
  2. Udhërrëfyesi turistik lokal nënkupton personin e kualifikuar që udhëheq grupet e vizitorëve / turistëve në një apo më shumë komuna të një rajoni të territorit të Republikës së Kosovës;

 

Trajnimi do të ofrohet për kandidatë që janë të interesuar të certifikohen për udhërrëfyes turistik shtetëror apo lokal dhe bazohet në parimet e standardit CEN EN 15565:2008 (Tourism services – Requirements for the provision of professional tourist guide training and qualification programmes). Udhërrëfyesit turistik shtetëror do të pajisen me njohuri teorike dhe praktike për tërë territorin e Kosovës përderisa për ata kandidatë/e që aplikojnë për certifikim të udhërrëfyesve turistik lokal duhet të përzgjedhin rajonin përkatës gjatë fazës së regjistrimit.

Rajonet e përcaktuara për kualifikim gjenden në vijim: 

  1. Rajoni Jug me përbërje të 7 komunave në vijim: Prizren, Dragash, Mamushë, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Shtërpcë. 
  2. Rajoni Perëndim me përbërje të 6 komunave në vijim: Pejë, Gjakovë, Deçan, Junik, Istog, Klinë. 
  3. Rajoni Veri me përbërje të 8 komunave në vijim: Mitrovica Jugore, Mitorvica Veriore, Vushtrri, Zubinpotok, Leposaviç, Zveçan, Podujevë, Skenderaj. 
  4. Rajoni Qendër me përbërje të 7 komunave në vijim: Prishtinë, Graçanicë, Novobërdë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas. 
  5. Rajoni Lindje me përbërje të 10 komunave në vijim: Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit, Viti, Kllokot, Partesh, Ranillug.

 

Kandidatët që aplikojnë do të pajisen me program dhe agjendë detaje të përmbajtjes së trajnimit dhe temave që do të mbulohen gjatë trajnimit.

Pjesa teorike e programit të trajnimit përfshin formate të mësimit sikurse: ligjërata, punëtori, mësim online, mësim dhe detyra individuale për kandidatë/e, vlerësim-test teorik, etj. 

Pjesa praktike e programit të trajnimit përfshin formate të mësimit sikurse: dhënia e modelit (shembujve), praktika në terren në rajone (qytete e fshatëra) të ndryshme të Kosovës dhe vlerësim-testimi për këto njohuri. 

KUSHTET E CERTIFIKIMIT

  1. Vijimi i së paku 60% të programit të trajnimit; 
  2. Arritja e së paku 51% të vlerësimit/testit teorik; 
  3. Arritja pozitive e vlerësimit/testit të udhërrëfimit gjatë ecjes në qytet/fshat; 
  4. Arritja pozitive e vlerësimit/testit të udhërrëfimit në muze/monument;  
  5. Arritja pozitive e vlerësimit/testit të udhërrëfimit në autobus; 
  6. Kryerja e pagesave të trajnimit sipas kushteve të thirrjes publike (shih më poshtë).  

Nëse ndonjë kandidat/e dështon të kalojë njërin nga pjesët vlerësuese të trajnimit, atij/asaj do ti ofrohet edhe një mundësi për vlerësim / testim gjatë ciklit të njejtë të trajnimit. Në rast të dështimit edhe për herë të dytë atëherë kandidati nuk arrin të fitojë të drejtën e certifikimit.

ÇMIMI DHE KUSHTET E PAGESËS

  • Pagesa për udhërrëfyes turistik kombëtar: 660 Euro.
  • Pagesa për udhërrëfyes turistik lokal: 400 Euro.
  • 20% zbritje ofrohet për:
    – Anëtarët e plotë të GUIDEKS
    – Studentët e universiteteve publike
    – Zyrtarët publik për promovim të turizmit kulturor
  • Për këto kategori çmimi për udhërrëfyes turistik kombëtar do të jetë: 528 Euro, përkatësisht për udhërrëfyes turistik lokal është 320 Euro.

Pagesa totale preferohet të kryhet në fillim të programit.

Ofrohet edhe mundësia e pagesës në 3 këste (me 1/3 e çmimit total) sipas këtyre afateve:

  • Afati i pagesës së kësit të parë është 20 tetor 2024.
  • Afati i pagesës së kësit të dytë është 20 nëntor 2024.
  • Afati i pagesës së kësit të fundit është 20 dhjetor 2024.
  • Pagesa duhet të kryhet vetëm përmes transferit bankar në llogarinë TEB 2032 0001 6945 9542 me përshkrimin të pagesë si në vijim: “Pagesa për trajnim Emri Mbiemri”.
  • Certifikata për kanidatët e suksesshëm do ti ipet vetëm në rast të përmbushjes së obligimeve financiare.

Planprogrami dhe agjenda detaje e trajnimit do ti ofrohet pjesëmarrësve pas plotësimit të formës së regjistrimit dhe kryerjes së pagesës, dhe atë së paku pagesën e këstit të parë, pra një të tretën e shumës totale.

 

NA KONTAKTONI

Nëse keni pyetje, paqartësi apo ju duhen më shumë informata, ju lutem na kontaktoni në adresën elektronike guidesinkosovo@gmail.com apo edhe në rrjetet tona sociale.