Shqipe Mula
Shqipja, nga sinonimi i shqiponjës, vjen pasioni i saj për ngjitjen e maleve të ndryshme të Kosovës. Por jo vetëm kaq, ajo ka një traditë familjare të mjeshtërisë së plisit tradicional ku kështu lindi pasioni i saj për studimin e trashëgimisë kulturore. Sot ajo është e angazhuar në mënyrë aktive edhe në edukimin e gjeneratave të reja si arsimtare. Shqipe Mula, guidë kombëtare e certifikuar që ofron shërbimet e saja në gjuhë shqipe, e përshkruan veten me këto fjalë: “Unë kam pasion të punoj me njerëz dhe më pëlqen profesioni i guidës turistike pasi mund t’u tregoj turistëve se çfarë vendi i mrekullueshëm është Kosova. Si guidë, është sfidë të punosh me njerëz dhe situata të ndryshme, por në fund është gjithmonë emocionuese dhe shpërblyese. Edhe pse me grupe vizitojmë të njëjtat vende, qyteti edhe bëhet i ndryshëm me vizitorë të ndryshëm. Jam nga Gjakova, qyteti i traditave, historisë, muzikës, artit dhe një qytet me çarshinë e vjetër më të gjatë në Ballkan, ku larmia e zanateve e që janë emblema e qytetit, ruhen dhe ndërtohen me dashuri dhe përkushtim për t’u transmetuar brezave të rinj. Do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për ju të vizitoni dhe të kaloni kohën tuaj këtu. Të qenit një guidë turistike do të më jepte një kënaqësi të madhe për t’i ndihmuar të tjerët ta shohin dhe ta duan qytetin tim ashtu si unë.” Shqipja, që nga viti 2022 është edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të GUIDEKS.
guidesinkosovo@gmail.com
Albanian